Mbahet takimi i parë i ekipit të projektit shkencor të udhëhequr nga Prof. asoc. Dr. Fatos Rexhepi
Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt takimi i parë i ekipit të projektit “Zhvillimi i metodave FTIR/PLSR për kontrollin e autenticitetit të vajit të ullirit dhe vajrave vegjetalë”, i cili udhëhiqet nga Prof. asoc. Dr. Fatos Rexhepi dhe është përfitues i financimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në kuadër të skemës për Projekte të Vogla Shkencore.
Në takim morën pjesë udhëheqësi i projektit, Prof. asoc. Dr. Fatos Rexhepi, anëtarët e ekipit, Bahtir Hyseni, Mirsade Osmani, Gonxhe Kajtazi dhe Arbnora Durmishaj, si dhe studentja nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore, Rinesa Tasholli të cilët do të angazhohen në aktivitetet e projektit.
Takimi kishte karakter informues dhe koordinues, gjatë të cilit u diskutuan aktivitetet kryesore dhe fazat e realizimit të projektit. Vëmendje e veçantë i’u kushtua organizimit të punës eksperimentale, përdorimit të pajisjeve dhe infrastrukturës laboratorike, koordinimit të detyrave ndërmjet anëtarëve të ekipit, si dhe planifikimit të aktiviteteve shkencore që do të zhvillohen gjatë zbatimit të projektit.
Gjithashtu, u diskutua për pjesëmarrjen dhe prezantimin e rezultateve të projektit në konferenca shkencore, me synim promovimin dhe shpërndarjen e rezultateve të kërkimit në komunitetin akademik dhe shkencor.
Takimi shënon fillimin e aktiviteteve për realizimin e projektit dhe krijon bazën për koordinimin e mëtejshëm të ekipit në funksion të arritjes së objektivave të përcaktuara.
