Menaxhmenti i Fakultetit Juridik realizoi vizitë zyrtare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës
Menaxhmenti i Fakultetit Juridik të UIBM-së, i udhëhequr nga Dekani, Prof. dr. Islam Qerimi, realizoi një vizitë zyrtare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku u prit me mikpritje të veçantë dhe profesionalizëm të lartë nga drejtuesit e këtij institucioni. Takimi u zhvillua nën udhëheqjen e Dekanes, znj. Dorina Hoxha, dhe Prodekanit, z. Erjon Muharremaj, të cilët organizuan një pritje institucionale për delegacionin e UIBM-së.
Gjatë kësaj vizite, palët zhvilluan diskutime të frytshme lidhur me shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor. Në këtë kuadër, delegacioni i Fakultetit Juridik të UIBM-së pati nderin të mbajë ligjërata për studentët e Fakultetit të Drejtësisë, të cilat u pritën me interes të madh dhe vlerësim të lartë, duke kontribuar në avancimin e dialogut akademik ndërinstitucional.
Vizita përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve dhe krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e arsimit juridik. Gjatë drekës së punës, palët u dakorduan për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në drejtim të bashkëorganizimit të aktiviteteve shkencore, përfshirë tryeza shkencore, si dhe zhvillimit të ligjëratave të ndërsjella.

