Foto Mokne 1

Marrëveshje bashkëpunimi mes UIBM (FTU) dhe kompanisë “Mokne Group LLC”

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), përkatësisht Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU), ka zyrtarizuar bashkëpunimin me kompaninë “Mokne Group LLC” nga Istogu. Kjo marrëveshje synon fuqizimin dhe zhvillimin profesional të studentëve dhe të sapodiplomuarve përmes ndërlidhjes së procesit akademik me praktikën industriale.

Gjatë takimit, Rektorja e UIBM, Prof. Dr. Nurten Deva, theksoi rëndësinë e krijimit të urave lidhëse me industrinë për të siguruar që studentët të jenë të përgatitur për tregun e punës. Ajo vlerësoi lart gatishmërinë e kompanisë për të hapur dyert për studentët tanë.

Në anën tjetër, Dekani i FTU-së, Prof. Dr. Mensur Kelmendi, vuri në dukje se ky bashkëpunim do të fokusohet në realizimin e praktikave profesionale (internship), ligjëratave nga ekspertët e industrisë dhe vizitave studimore. Sipas tij, kjo është një urë lidhëse e domosdoshme për zhvillimin e kuadrove të reja në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë ushqimore dhe inxhinierisë kimike dhe mjedisore.

Pas nënshkrimit, Rektorja dhe Dekani i FTU-së, Prof. Dr. Mensur Kelmendi, së bashku me stafin akademik, vizituan të gjithë sektorët e fabrikës moderne. Gjatë kësaj vizite, Drejtori i Prodhimit, Dr. Sc. Artan Studenica, së bashku me stafin e tij, prezantuan proceset e avancuara të prodhimit të ujit të pijes dhe ujit të gazuar, si dhe planet për zgjerimin e gamës me pije të tjera.

Drejtori i prodhimit, Artan Studenica, konfirmoi se kompania do të ofrojë logjistikën, teknologjinë dhe ambientet e nevojshme për trajnime dhe testime të studentëve.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar me datë 29.04.2026 për një afat të pacaktuar, shënon një hap të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së arsimit profesional në fushën e e inxhinierisë dhe teknologjisë ushqimore, inxhinierisë kimike dhe inxhinierisë mjedisore.

Foto Mokne 2
Shperndaj ne: