Në Fakultetin Juridik mbahet ligjëratë e hapur nga avokati dhe kriminologu Erion Ciko mbi Sigurinë Kibernetike dhe Inteligjencën Digjitale
Fakulteti Juridik ka përmbyllur me sukses ligjëratën e hapur online në fushën e kriminalistikës, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës digjitale. Kjo ligjëratë u mbajt nga avokati dhe kriminologu i njohur shqiptar në Itali, z. Erion Ciko, në kuadër të lëndës së Kriminalistikës, nën udhëheqjen e prof. dr. Islam Qerimi.
Aktiviteti i zhvilluar përmes platformës Google Meet zgjoi një interesim të jashtëzakonshëm te studentët tanë, të cilët u treguan mjaft aktivë përgjatë gjithë kohës. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me sfidat më moderne juridike dhe teknologjike, me fokus të veçantë në krimin kibernetik, inteligjencën artificiale dhe sigurinë në epokën digjitale.
Ligjëruesi Erion Ciko, i cili gëzon një përvojë të gjerë profesionale në Itali, ndau me studentët njohuritë e tij si ekspert në fushat e së drejtës penale, OSINT-it (Open Source Intelligence), forenzikës digjitale dhe sigurisë kibernetike. Si anëtar i Komisionit të Inteligjencës Artificiale pranë Dhomës Penale të Romës dhe i Komisionit për të Drejtat e Njeriut pranë Odës së Avokatëve të Romës, z. Ciko solli një perspektivë unike ndërkombëtare përpara audiencës.
Ajo që e veçoi këtë ligjëratë ishte interaktiviteti i lartë. Studentët tanë u ndanë jashtëzakonisht të interesuar për temat e trajtuara, duke shtruar pyetje mjaft profesionale dhe duke nxitur një diskutim të frytshëm rreth ndikimit të inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë penale dhe metodat e reja të hetimit të krimit kibernetik.
Fakulteti Juridik falënderon përzemërsisht z. Erion Ciko për gatishmërinë dhe ligjëratën e tij me shumë vlerë, dekanin dhe profesorin Islam Qerimi për organizimin, si dhe të gjithë studentët dhe stafin akademik për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme akademike.
Fakulteti ynë mbetet i përkushtuar që të sjellë vazhdimisht praktikat më të mira ndërkombëtare dhe temat më bashkëkohore pranë studentëve tanë.
