Profesorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore realizuan mobilitet akademik CEEPUS në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir
Në kuadër të programit ndërkombëtar të mobilitetit akademik CEEPUS, Prof. Asoc. Dr. Flora Zabërgja dhe Prof. Dr. Fatos Rexhepi, nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UMIB), realizuan një mobilitet akademik në Fakultetin e Shkencave Bioteknike të Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, Maqedonia e Veriut.
Gjatë qëndrimit, profesorët zhvilluan ligjërata tematike dhe aktivitete akademike, duke ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre shkencore me studentët dhe stafin akademik të institucionit pritës.
Prof. Asoc. Dr. Flora Zabërgja trajtoi tema nga fusha e inxhinierisë mjedisore, me fokus të veçantë në praninë, shpërndarjen dhe ndikimin e metaleve të rënda në mjedis. Gjatë ligjëratave u shqyrtuan burimet e ndotjes, akumulimi i metaleve të rënda në përbërës të ndryshëm të mjedisit dhe përdorimi i indikatorëve për identifikimin, monitorimin dhe vlerësimin e shkallës së ndotjes. Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së këtyre metodave në vlerësimin e cilësisë së mjedisit, identifikimin e rreziqeve ekologjike dhe mbrojtjen e ekosistemeve dhe shëndetit të njeriut.
Prof. Dr. Fatos Rexhepi prezantoi tema nga fusha e kimisë organike, me fokus të veçantë në identifikimin dhe karakterizimin strukturor të molekulave organike përmes metodave spektroskopike, si dhe zbatimin e metodave të analizës multivariabile për detektimin dhe përcaktimin sasior të komponimeve organike. Gjatë ligjëratave u trajtua rëndësia e spektroskopisë infra të kuqe (FTIR) në identifikimin e grupeve funksionale dhe interpretimin e strukturave molekulare, si dhe kombinimi i të dhënave spektroskopike me metodat kemometrike për analizën cilësore dhe sasiore të komponimeve organike.
Në kuadër të mobilitetit, profesorët zhvilluan gjithashtu një takim me dekanen e Fakultetit të Shkencave Bioteknike, Prof. Dr. Elena Joshevska, dhe Prof. Dr. Dijana Blazhekovikj-Dimovska, udhëheqëse e studimeve të doktoratës.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve, shkëmbimin e përvojave në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, si dhe mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, publikimeve shkencore dhe mobiliteteve të ardhshme të stafit akademik dhe studentëve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit në nivelin e studimeve të doktoratës, përmes shkëmbimit të përvojave akademike dhe përfshirjes në aktivitete të përbashkëta shkencore.
Mobiliteti u karakterizua nga një atmosferë pozitive akademike, diskutime profesionale dhe shkëmbim i frytshëm i njohurive dhe përvojave ndërmjet profesorëve të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe përfaqësuesve të institucionit pritës.
Ky mobilitet përbën një kontribut të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, duke forcuar bashkëpunimin ndëruniversitar, promovuar shkëmbimin e njohurive dhe krijuar mundësi të reja për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kërkimore në të ardhmen.




