Stafi akademik i UIBM pjesë e trajnimit në kuadër të projektit LEADALKO
Në kuadër të projektit LEADALKO, ka filluar të martën në Kolegjin e Biznesit në Prishtinë trajnimi i trajnerëve për ata që do të pilotojnë Programin e Lidershipit, ku po marrin pjesë edhe profesorët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë: Prof.asoc.dr. Merita Shala, prof.ass.dr. Filloreta Kunoviku Demiri dhe prof.ass.dr. Zahir Çerkini.
Trajnimi po mbahet nga trajnerët ndërkombëtarë: David Daëson, profesor i Lidershipit në Universitetin e Gloucestershire – Ekspert Ndërkombëtar për Lidershipin dhe Ndërmarrësinë dhe profesor Jan Myers nga ISSBS me përvojë shumë të gjatë në të nxënit individual dhe organizativ dhe lidershipin e ndryshimeve sociale dhe krijimin e kuptimeve. Ky seminar/trajnim përfaqëson një aktivitet kyç, pasi do të përgatisë trajnerët që më vonë do të zbatojnë programin me stafin akademik dhe administrativ, si dhe me përfaqësues nga institucionet arsimore në nivel qendror dhe lokal.
Në ditën e dytë, trajnimi do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, i cili do të fillojë me një vizitë në Muzeun e Mitrovicës. Stafi akademik nga universitetet partnere nga Shqipëria, Malta dhe Sllovenia do të mirëpritet nga drejtoresha e Muzeut të Mitrovicës, znj. Nora Prekazi, ndërsa trajnimin do ta mirëpresë edhe prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UIBM, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi.
Trajnimi i trajnerëve i paraprin trajnimit të grupeve përkatëse të stafit akademik dhe anëtarëve të jashtëm në Kosovë dhe Shqipëri që do të marrin pjesë në këtë trajnim gjatë periudhës gjashtëmujore janar-qershor 2025.


