Studentet e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore po realizojnë me sukses praktikën profesionale në Poloni
Studentet e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Fidane Shalaj, Florina Musaj dhe Dorentina Fazliu, janë duke realizuar me sukses mobilitetin e tyre në kuadër të praktikës profesionale ndërkombëtare në Poloni.
Sipas tyre, e gjithë përvoja është duke u zhvilluar sipas planprogramit dhe procedurave të parashikuara, ndërsa tashmë ndodhen drejt përfundimit të kësaj periudhe të rëndësishme profesionale.
Studentet kanë vlerësuar lart mikpritjen, profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit me të cilin po punojnë, duke theksuar se kjo përvojë po u ndihmon të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në mënyrë të vazhdueshme.
Aktualisht, ato janë në fazën e pritjes së rezultateve përfundimtare dhe po vazhdojnë angazhimin maksimal në finalizimin e rezultateve të praktikës profesionale. Gjatë javës së fundit të muajit prill, secila prej tyre do të realizojë prezantimin e punës, duke paraqitur rezultatet e hulumtimeve për temat individuale që kanë zhvilluar gjatë kësaj periudhe.
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë mbetet i përkushtuar në mbështetjen e studentëve për përfshirje në praktika profesionale dhe mobilitete ndërkombëtare, me qëllim të ngritjes së përgatitjes së tyre akademike dhe profesionale.




