Studentët e Xehetarisë realizuan vizitë studimore në minierën “Trepça”
Studentët e vitit të parë, të dytë dhe të tretë nga departamenti i Xehetarisë, niveli bachelor, të shoqëruar nga profesor Kemajl Zeqiri dhe asistentët Ujmir Uka dhe Ariana Sadiku, realizuan të premten një vizitë në minierën “Trepça”, në Stantërg. Ata u pritën nga drejtori i “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, i cili mbajti një prezantim të përgjithshëm të minierës. Më pas, vizita vazhdoi me zbritjen në horizontet X dhe XI të minierës, nën udhëheqjen dhe shpjegimet e inxhinierit Valon Haliti.
Gjatë vizitës studentët patën mundësinë të njihen me fazat kryesore të shfrytëzimit, duke filluar nga hapja dhe përgatitja e punimeve minerare, shfrytëzimi në frontet e punës, transporti si dhe organizimin e punës në nëntokë. Për disa nga studentët kjo ishte përvoja e tyre e parë në një minierë nëntokësore, duke e bërë vizitën edhe më të rëndësishme për krijimin e një kuptimi praktik të profesionit të tyre të ardhshëm.
