IMG 7095

Studentja krijon Platformë Digjitale për Ndërgjegjësimin rreth Kancerit të Gjirit në Kosovë

Studentja e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në nivelin master, Agnesa Baliu, ka krijuar Platformë Digjitale për Ndërgjegjësimin rreth Kancerit të Gjirit në Kosovë,  me emrin ROZË. Këtë platformë ajo e ka prezantuar të martën në një aktivitet të organizuar në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë në kuadër të Tetorit Rozë.

Ajo tha se është fjala për një platformë digjitale të krijuar me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në Kosovë, duke ofruar një hapësirë të përbashkët për informim, edukim, mbështetje dhe solidaritet. “Platforma synon të bashkojë në një vend informacione të rëndësishme mbi kancerin e gjirit, histori reale të grave që janë përballur me këtë sëmundje, organizata dhe iniciativa mbështetëse, si dhe aktivitete që promovojnë ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm”.

Sipas saj, përmes një dizajni modern, të qasshëm dhe miqësor për përdoruesit, ROZË synon ta bëjë informacionin më të lehtë për t’u gjetur dhe për t’u kuptuar. Ajo sqaroi se kryefaqja  prezanton misionin dhe qëllimin e platformës, duke orientuar përdoruesit drejt informacioneve dhe përmbajtjeve kryesore, informacione edukative mbi kancerin e gjirit, simptomat, faktorët e rrezikut, diagnostikimin dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm, ndihmë për përdoruesit drejt organizatave, shoqatave dhe iniciativave që ofrojnë mbështetje për gratë e prekura nga kanceri i gjirit në Kosovë.

Gjithashtu platforma përmban histori dhe përvoja reale të grave që janë përballur me kancerin e gjirit, duke përcjellë mesazhe guximi, shprese dhe solidariteti, prezanton fushata, aktivitete dhe iniciativa ndërgjegjësuese që promovojnë rëndësinë e kontrolleve të hershme dhe kujdesit për shëndetin e grave

Linku: https://roze-wheat.vercel.app/

Platforma Roze
Shperndaj ne: