1000032782

Studentja nga ENSMAC – Bordeaux INP zhvillon praktikë kërkimore në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe ENSMAC (École Nationale Supérieure de Matériaux, d’Agroalimentaire et de Chimie), Bordeaux INP – Francë, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore ka mirëpritur studenten Yllka Haxhnikaj, e cila po zhvillon një praktikë akademike dhe kërkimore me kohëzgjatje prej pesë muajsh.

Praktika ka filluar më 1 qershor 2026 dhe realizohet nën mbikëqyrjen e Prof. Asoc. Dr. Fatos Rexhepi, në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore. Gjatë kësaj periudhe, studentja do të angazhohet në aktivitete laboratorike dhe kërkimore në fushën e kimisë organike, me fokus në zhvillimin e aftësive praktike, përdorimin e teknikave moderne analitike dhe pjesëmarrjen në projekte kërkimore shkencore.

Ky mobilitet akademik synon të nxisë shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet dy institucioneve, të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin profesional të studentëve në një mjedis akademik ndërkombëtar.

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimit me institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke promovuar mobilitetin akademik, kërkimin shkencor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në arsimin e lartë.

Studentes Yllka Haxhnikaj i urojmë suksese gjatë qëndrimit të saj në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe një përvojë të frytshme akademike, kërkimore dhe profesionale.

1000032784
Shperndaj ne: