Në kuadër të Ditës Alumni UIBM 2026 dhe shënimit të 13-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ish-studenti i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Departamenti i Informatikës Inxhinierike, Almedin Nasufi, u nderua me titullin “Ambasador Nderi”, si vlerësim për arritjet e tij profesionale dhe kontributin në fushën e teknologjisë informative.

Almedini filloi studimet në UIBM në vitin akademik 2017/2018 dhe diplomoi në vitin 2021. Që gjatë vitit të dytë të studimeve, ai nisi angazhimin e tij profesional duke punuar në mënyrë remote për një platformë ndërkombëtare, ku menaxhonte përmbajtje në 29 gjuhë të ndryshme. Kjo eksperiencë i hapi rrugën drejt projekteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e teknologjisë.

Një nga projektet e para të rëndësishme në karrierën e tij ishte zhvillimi i sistemit të digjitalizimit për kompaninë “FibelloSweets”, së bashku me kolegët e tij nga UIBM. Ky sistem vazhdon të përdoret edhe sot në menaxhimin e proceseve operative të kompanisë dhe konsiderohet një shembull i suksesshëm i aplikimit praktik të njohurive të fituara gjatë studimeve.

Gjatë rrugëtimit profesional, Almedini ka punuar si Full Stack Developer dhe Team Lead në kompani të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e sistemeve enterprise, platformave e-commerce, aplikacioneve në kohë reale, ERP-ve dhe produkteve SaaS. Ai ka qenë pjesë e projekteve që përfshijnë integrime me platforma globale si Amazon, Shopify, SAP, Kaufland dhe sisteme të tjera të avancuara teknologjike.

Aktualisht, ai është i angazhuar si Full Stack Engineer në kompaninë ndërkombëtare Beelynq (HeyTeam), ku kontribuon në zhvillimin dhe integrimin e një platforme SaaS që përdoret nga kompani të mëdha në Francë dhe tregun evropian për menaxhimin dhe automatizimin e proceseve të punonjësve.

Përveç angazhimit profesional, Almedini ka treguar përkushtim edhe ndaj edukimit dhe komunitetit. Së bashku me kolegët e tij dhe në bashkëpunim me profesorët e UIBM-së, ai ka organizuar trajnime vullnetare për nxënës të shkollave të mesme në fushën e zhvillimit të aplikacioneve Full Stack, duke ndarë përvojën dhe njohuritë e fituara në industrinë e teknologjisë.

Historia e Almedin Nasufit dëshmon se përkushtimi, mësimi i vazhdueshëm dhe baza e fortë akademike e fituar në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë mund të shndërrohen në mundësi reale për zhvillim profesional dhe angazhim në projekte me ndikim ndërkombëtar.

Titulli “Ambasador Nderi” i ndarë në Ditën Alumni UIBM 2026 është një vlerësim i merituar për rrugëtimin e tij profesional dhe një frymëzim për studentët e rinj që synojnë të ndërtojnë karrierë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

 

Almedin Nasufi – Nga UIBM Drejt Projekteve Ndërkombëtare Në Zhvillimin E Softuerit