Pranvera Gashi, model frymëzimi për studentët e rinj
Rrugëtimi profesional i Pranvera Gashit është një shembull i qartë se si përkushtimi ndaj dijes dhe pasioni për profesionin mund të krijojnë baza të forta për suksesin personal dhe kontributin në shoqëri. Pranvera filloi studimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, drejtimi Inxhinieri Kimike. Gjatë viteve të studimeve, ajo u dallua për seriozitetin, angazhimin dhe dëshirën për të mësuar e për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme në fushën e saj. Në vitin 2021, ajo përfundoi me sukses studimet themelore, duke fituar titullin “Bachelor i Shkencave në Teknologji”, me specializim në Inxhinieri Kimike. E vendosur për të avancuar më tej, ajo po të njëjtin vit filloi studimet në nivelin master në të njëjtin fakultet dhe në vitin 2025 u diplomua si “Master i Shkencave në Teknologji”, duke mbetur e përkushtuar ndaj zhvillimit profesional dhe shkencor.
Përveç angazhimeve akademike, Pranvera ka investuar në mënyrë aktive edhe në ndërtimin e përvojës praktike. Gjatë viteve 2020–2021 ka qenë pjesë e Komunës së Drenasit si praktikante në rolin e Inspektores Sanitare, ku ka zhvilluar njohuri të rëndësishme praktike dhe ka kontribuar në mbikëqyrjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe sanitare. Rrugëtimi i saj profesional vazhdoi në vitin 2024 me një angazhim të rëndësishëm në nivel qendror – si praktikante në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në Divizionin e Punimeve nga Metalet e Çmuara. Ky rol përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e saj dhe dëshmon për besimin dhe potencialin që Pranvera ka ndërtuar ndër vite.
Ajo përfaqëson me dinjitet një brez të ri të profesionistëve të dalë nga Universiteti “Isa Boletini” – të përgatitur mirë, të angazhuar dhe të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe institucional të vendit.
Pranvera Gashi mbetet një model i frymëzimit për studentët tanë dhe një dëshmi se sukseset ndërtohen mbi dije, përvojë dhe vullnet të palëkundur.
