Në kuadër të Ditës Alumni UIBM 2026, ish-studentja e Fakultetit të Gjeoshkencave, Elona Idrizi, u nderua me titullin “Ambasadore Nderi”, si vlerësim për arritjet e saj profesionale dhe përfaqësimin dinjitoz të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë në industrinë minerare dhe metalurgjike.
Elona ka përfunduar studimet bachelor në Departamentin e Materialeve dhe Metalurgjisë në vitin 2020, ndërsa studimet master në të njëjtin drejtim i përfundoi në vitin 2023. Gjatë studimeve, ajo u angazhua në praktika profesionale dhe vizita studimore në kompani të njohura si NewCo Ferronikeli dhe Trepça, duke fituar njohuri të vlefshme praktike që do të shërbenin si bazë për zhvillimin e saj profesional.
Rrugëtimi i saj profesional filloi në Komunën e Skenderajt, ku për rreth një vit fitoi përvojën e parë institucionale. Më pas, ajo vazhdoi praktikën profesionale në kompaninë Ferronikeli në Drenas, në sektorin e prodhimit. Falë përkushtimit dhe aftësive të saj profesionale, pas tre muajsh u angazhua si Inxhiniere për Kualitet dhe Kontroll të Materialeve Zjarrëduruese.
Sot, Elona mban pozitën e Zyrtares Ekzekutive të Drejtorit të Përgjithshëm në Ferronikeli, një rol me përgjegjësi të lartë që dëshmon besimin dhe vlerësimin që ka fituar brenda kompanisë.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka ndjekur trajnime dhe praktika profesionale brenda dhe jashtë vendit, përfshirë programe në Turqi, Austri, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, duke bashkëpunuar me profesionistë ndërkombëtarë dhe duke zgjeruar vazhdimisht njohuritë e saj në fushën e materialeve dhe proceseve industriale.
Historia e Elonës është një dëshmi e qartë se kombinimi i përgatitjes akademike, përvojës praktike dhe përkushtimit profesional krijon mundësi të mëdha për sukses. Ajo mbetet një shembull frymëzues për studentët e Fakultetit të Gjeoshkencave dhe për të gjithë të rinjtë që synojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në sektorin industrial.
“Shfrytëzoni çdo mundësi për të mësuar dhe për të fituar përvojë praktike. Çdo eksperiencë është një hap më afër suksesit profesional.” – Elona Idrizi.
