Në kuadër të Ditës Alumni UIBM 2026, ish-studentja e Fakultetit Ekonomik, Plotmirë Haziraj, u nderua me titullin “Ambasadore Nderi”, si vlerësim për arritjet e saj akademike, profesionale dhe kontributin e vazhdueshëm në promovimin e vlerave të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Plotmirja ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, drejtimi Biznes Menaxhment, ku gjatë studimeve u dallua për suksesin akademik dhe angazhimin e saj në jetën studentore. Ajo ishte bursiste si studente e dalluar dhe njëkohësisht pjesë e strukturave udhëheqëse të studentëve, si në nivel të Fakultetit Ekonomik ashtu edhe të universitetit, duke përfaqësuar me përkushtim interesat e studentëve.

Pas diplomimit, ajo vazhdoi zhvillimin e saj profesional në institucione publike dhe private, duke fituar përvojë të vlefshme në fusha të ndryshme të menaxhimit dhe administrimit. Paralelisht me angazhimin profesional, Plotmirja vazhdoi rrugëtimin akademik duke përfunduar studimet master në fushën e marketingut, ndërsa aktualisht është kandidate për doktoratë (PhD Candidate) në Administrim Biznesi.

Sot, ajo kontribuon edhe në fushën akademike si asistente në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, duke ndarë njohuritë dhe përvojën e saj me gjeneratat e reja të studentëve.

Rrugëtimi i Plotmirë Hazirajt dëshmon se përkushtimi, puna e vazhdueshme dhe dëshira për zhvillim profesional krijojnë mundësi të reja dhe hapin rrugë drejt suksesit. Ajo mbetet një shembull frymëzues për studentët e sotëm, duke dëshmuar se themelet e forta akademike të ndërtuara në UIBM mund të shndërrohen në arritje të rëndësishme profesionale dhe shkencore.

“Mos e nënvlerësoni veten dhe mos u frikësoni nga sfidat. Punoni me ndershmëri, mësoni vazhdimisht dhe mos harroni kurrë nga keni filluar. Çdo hap është pjesë e rrugëtimit drejt suksesit.” – Plotmirë Haziraj

Plotmirë Haziraj – “Ambasadore Nderi” E UIBM Dhe Një Shembull I Përkushtimit Akademik