Alumnus i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike – UIBM

Unë jam Mergim Grajçevci, i diplomuar në programin Bachelor i Shkencave në Makineri Prodhuese në Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike  në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Ende pa përfunduar studimet në drejtimin Makineri Prodhuese në FIMK, kam gjetur punë në një nga institucionet më të rëndësishme energjetike në vend – KEK. Aktualisht punoj si Teknik i Makinerisë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Në punën time të përditshme jam përgjegjës për mbikëqyrjen e performancës së makinerive, mirëmbajtjen parandaluese dhe riparimin e pajisjeve të dëmtuara. Për këtë, përgatitja teknike që kam marrë në Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike – UIBM ka qenë thelbësore.

Studimet në UIBM kanë ndikuar në mënyrë vendimtare në zhvillimin tim profesional. Kam fituar njohuri të thella teorike, por mbi të gjitha edhe përvojë praktike reale. Një nga anët më të mira të programit ishte njohja me një gamë të gjerë softuerësh inxhinierikë si:
AutoCAD, SolidWorks, SolidCAM, Inventor, Fusion 360, CATIA, ANSYS, MathCAD dhe të tjerë.
Puna me këta softuerë më ka ndihmuar të zhvilloj aftësi në dizajnin mekanik, analizën e elementeve të fundme (FEA), përgatitjen për prodhim dhe simulimet inxhinierike – aftësi që sot i zbatoj çdo ditë në punën time.

Ndër përvojat më të mira gjatë studimeve përmend:

  • Pjesëmarrjen në projekte studentore,
  • Praktikën në punëtorinë e fakultetit,
  • Kontaktin e vazhdueshëm me profesorët,
  • si dhe ambientet moderne të universitetit që krijojnë kushte ideale për mësim dhe zhvillim.

Edhe pse nuk kam pasur përvoja ndërkombëtare, përgatitja ime në Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike më ka dhënë sigurinë dhe kompetencat për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në Kosovë.

Këshilla ime për studentët aktualë dhe ata që mendojnë të zgjedhin FIMK në UIBM është kjo:

Përqendrohuni në mësim dhe zhvillim personal. Shfrytëzoni maksimalisht mundësitë që ofron universiteti – veçanërisht pajisjet laboratorike, praktikat dhe softuerët profesionalë. Mos hezitoni të kërkoni ndihmën dhe përkrahjen e profesorëve, të cilët janë gjithmonë të gatshëm t’ju mbështesin drejt suksesit profesional.

Mergim Grajçevci