Valdrin Beluli – Nga UIBM drejt suksesit profesional në Gjermani

Valdrin Beluli ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, Departamenti i Teknologjisë, në Universitetin “Isa Boletini” të Mitrovicës gjatë viteve 2014–2017, në drejtimin Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore. Pas përfundimit të këtij cikli studimesh, ai vazhdoi studimet master në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Departamenti i Kimisë Industriale, në Universitetin e Tiranës (2018–2020), ku u specializua në Inxhinierinë e Proceseve Kimike.

Aktualisht, Valdrini është i angazhuar si Inxhinier i servisimit dhe prodhimit në Gjermaninë Federale, në sektorin e filtrave me presim kimikë, ushqimorë dhe mjedisorë, (kapacitete të ulëta ashtu edhe të larta). Krahas punës, ai është i përfshirë aktivisht në kërkime dhe zhvillim shkencor, duke kontribuar në industri të ndryshme me zgjidhje inovative dhe metoda bashkëkohore optimizimi për uljen e kostove të operimit dhe prodhimit.

Rrugëtimi i tij profesional përfshin një numër të madh arritjesh, si: prezantimi dhe publikimi i rreth 20 punimeve dhe hulumtimeve në vende të ndryshme si Shqipëri, Poloni, Kroaci dhe Turqi; pjesëmarrja në 5 konferenca ndërkombëtare dhe 1 kombëtare; si dhe përvoja si hulumtues dhe zhvillues shkencor, supervizor laboratori dhe i cilësisë. Gjithashtu, Valdrini ka përfunduar certifikimin profesional në Python (Python Institute – Infotech Academy, Gjilan, 2023–2024), duke e zgjeruar më tej profilin e tij profesional.

Ai është anëtar i disa prej shoqatave më prestigjioze shkencore në Evropë, përfshirë Swiss Chemical Society (SCS), Swiss Society of Chemical & Process Engineering (SGVC), German Chemical Society (GDCh) si dhe rrjetin ndërkombëtar të kimistëve të rinj pranë IUPAC (IYCN). Për kontributin dhe angazhimin e tij, Valdrini ka qenë pesë herë bursist në nivel kombëtar.

Historia e suksesit të tij është një dëshmi e fuqishme se përkushtimi akademik dhe profesional hapin rrugën drejt arritjeve të mëdha. Përvoja në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë ka qenë një bazë e fortë për karrierën e tij, dhe sot Valdrini shërben si shembull frymëzues për studentët e rinj që duan të ndërtojnë një të ardhme në fushën e shkencës, teknologjisë dhe industrisë ushqimore.

Valdrin Beluli