Mimoza Voca, ish-studente e Fakultetit të Edukimit, është shpallur “Ambasador Nderi” në
kuadër të 13-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Rruga e saj akademike është
shembull i përkushtimit, punës së palodhur dhe pasionit për arsim.
Mimoza filloi studimet bachelor në Fakultetin e Edukimit dhe përballoi sfidat e para me
vendosmëri dhe mbështetje nga stafi akademik dhe familja. Ajo përfundoi studimet me një
mesatare të shkëlqyer 9.7 dhe u përfitua nga bursa universitare dhe qendrore nga MAShTI, duke
u motivuar më tej për të ndjekur rrugën akademike.
Gjatë studimeve, Mimoza u përfshi në praktika dhe programe ndërkombëtare si CEPPUS në
Linz, Austri, dhe praktikën profesionale në organizatën Bonevet, duke fituar përvojë të vyer në
punën me fëmijë dhe zhvillimin e aftësive praktike të mësimdhënies. Pas përfundimit të
bachelorit, ajo vazhdoi studimet master në drejtimin “Mësimdhënie dhe Kurrikulë” dhe filloi
punën si asistente në shkollën jopublike “Mileniumi i Tretë”, duke e bërë profesionin e
mësimdhënies pjesë të përditshmërisë së saj.
Sot, Mimoza është mësimdhënëse e angazhuar në Mitrovicë, ku çdo ditë aplikon njohuritë dhe
përvojën e fituar për të nxitur zhvillimin e nxënësve të saj. Ajo shprehet se rrugëtimi i saj nuk do
të ishte i mundur pa mbështetjen e profesorëve dhe mentorëve të saj, të cilët kanë lënë gjurmë në
mënyrën se si ajo punon dhe përfaqëson arsimin.
Në këtë 13-vjetor të UIBM, Mimoza Voca qëndron me krenari dhe mirënjohje për universitetin
që i dha themelet e suksesit të saj, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm të
studentëve.
