Me rastin e 13-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ish-studentja e Fakultetit të
Teknologjisë Ushqimore, Shpresa Musa, është nderuar me certifikatën dhe titullin “Ambasador
Nderi”, si vlerësim për arritjet e saj të jashtëzakonshme akademike dhe profesionale në nivel
ndërkombëtar.
Shpresa ka përfunduar studimet baçelor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në UIBM, ku u
dallua për sukses të lartë akademik dhe angazhim të vazhdueshëm, duke qenë edhe bursiste
universitare për dy vite radhazi. Gjatë kësaj periudhe ajo ishte aktive edhe në jetën studentore,
duke shërbyer si nënkryetare e Parlamentit Studentor.
Rrugëtimi i saj akademik vazhdoi me sukses në arenën ndërkombëtare. Ajo fitoi bursën
prestigjioze “Fulbright” nga Ambasada Amerikane për të vazhduar studimet master në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, ku pas vitit të parë të studimeve nënshkroi kontratë si asistente
kërkimore në Universitetin e Nebraskës–Lincoln. Në vitin 2019, përfitoi edhe bursën Erasmus,
duke ndjekur një semestër studimi në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Van Hall
Larenstein në Holandë.
Kulmi i arritjeve të saj akademike është doktoratura në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM)
në Gjermani, në fushën e Shkencave Natyrore, ku u vlerësua me notën më të lartë akademike
“Magna cum laude”.
Pas një periudhe angazhimi si asistente kërkimore ne universitet, Shpresa vazhdon rrugëtimin e
saj profesional në industrinë në Gjermani, duke kontribuar me ekspertizën e saj në fushën e
shkencës dhe teknologjisë.
Historia e saj është një dëshmi e qartë se përkushtimi, puna dhe arsimi cilësor në UIBM mund të
hapin rrugë drejt arritjeve të mëdha akademike dhe profesionale në nivel ndërkombëtar.
