Njomza Kadriu, ndërmarrëse e suksesshme

Njomza Kadriu është një ndër shembujt më të mirë të suksesit që nis rrugëtimin nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe shndërrohet në një rrugëtim frymëzues profesional e ndërmarrës. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Edukimit, drejtimi Fillor, duke u pajisur me njohuritë dhe aftësitë që do t’i shërbenin si bazë për të ardhmen.

Pas përfundimit të studimeve, Njomza nisi karrierën e saj në organizatën “Handikos Mitrovica”, ku për tri vite punoi si mësuese mbështetëse për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo përvojë jo vetëm që i dha asaj njohuri të thelluara pedagogjike dhe humane, por edhe e ndihmoi të kuptoi më mirë nevojat dhe potencialin e fëmijëve me sfida të ndryshme, duke ndikuar fuqishëm në formësimin e qasjes së saj profesionale.

E frymëzuar nga përvoja dhe e motivuar për të sjellë diçka të re në komunitet, Njomza themeloi biznesin e saj të quajtur “Mini Minds”, një qëndrim ditor për fëmijë që vepron në qytetin e Mitrovicës. “Mini Minds” është bërë një vend i dashur dhe i sigurt për fëmijët dhe një shembull i përkushtimit profesional në ofrimin e kujdesit dhe zhvillimin e fëmijëve.

Njomza Kadriu shpreh mirënjohje të thellë për Fakultetin e Edukimit në UIBM. “Jam shumë falënderuese për përgatitjen profesionale që mora gjatë studimeve. Aty mora bazat që më ndihmuan të jem e gatshme për tregun e punës dhe të ndërtoj një rrugëtim timin me besim dhe pasion”.

Njomza Kadriu