Fillon trajnimi në ndërmarrësi në kuadër të projektit StartLab360
Ka filluar të hënën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë trajnimi 5-ditor në ndërmarrësi, i organizuar nga Instituti EDUTASK në kuadër të projektit “E ardhmja kohezive”. Ky trajnim është pjesë e rrugëtimit në kuadër të projektit StartLab360, i cili synon fuqizimin e të rinjve përmes trajnimit dhe orientimit në karrierë, trajnimit në ndërmarrësi, laboratorit të inovacionit dhe forumit kombëtar të rinisë.
Qëllimi i trajnimit është pajisja e pjesëmarrëseve me njohuri dhe aftësi praktike për krijimin dhe zhvillimin e një biznesi, si dhe të eksplorojnë rrugëtimin e tyre si ndërmarrës të rinj. Tematikat kryesore të trajnimit janë: Kuptimi i mentalitetit sipërmarrës, mundësive dhe sfidave, zhvillimi i një ideje biznesi, hulumtimi i tregut dhe industrisë, hartimi i planit të biznesit, transformimi i idesë në plan të zbatueshëm dhe prezantimi i projektit para financuesve të mundshëm.
Pjesë e trajnimit janë bërë studentë të UIBM dhe nxënës të shkollave të mesme të Mitrovicës. Për pjesëmarrësit në fund do të ndahen certifikata, rimbursim të transportit dhe mundësi për të vazhduar me aktivitetet e projektit StartLab360.


