Tri studente nga Savonia University of Applied Sciences mbrojtën me sukses praktikën profesionale në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore
Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, nën mentorimin e profesorit Bahtir Hyseni, tri studente nga Savonia University of Applied Sciences mbrojtën me sukses praktikën e tyre profesionale.
Studentet qëndruan për rreth tre javë në UIBM-FTU, në kuadër të një programi të praktikës profesionale të hartuar nga profesori Bahtir Hyseni, në bashkëpunim me IADK dhe fabrikën e kërpudhave Hirano Mushroom.
Gjatë kësaj periudhe, studentet zhvilluan praktikën në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, ku u angazhuan në procesin e fermentimit të çajit Kombucha si dhe në analizimin e tij me pajisjen HPLC, duke fituar njohuri praktike në fushën e proceseve fermentative dhe analizave laboratorike të përbërësve bioaktivë.
Në fabrikën Hirano Mushroom, studentet u trajnuan në mënyrë profesionale për të gjithë procesin e prodhimit të kërpudhave, duke filluar nga përgatitja e substratit, vazhdimi i fazave të kultivimit, deri tek vjelja dhe paketimi i produktit final.
Ndërkaq, me koordinim dhe përkrahje nga IADK, studentet realizuan vizita studimore në disa ferma të gjedhit si dhe në disa ferma për kultivimin e perimeve, ku patën mundësi të njihen nga afër me praktikat e prodhimit bujqësor dhe blegtoral në Kosovë.



