J1

Në Fakultetin Juridik u mbajt “Gjykimi i simuluar”

Në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt të enjten “Gjykimi i simuluar”, ku pos studentëve dhe stafit akademik ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga menaxhmenti i UIBM dhe nga institucionet e drejtësisë. Aktiviteti kishte për qëllim promovimin e aftësive praktike të studentëve në fushën juridike përmes simulimit të një procesi gjyqësor si dhe forcimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional me institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Në emër të UIBM, të pranishmit i ka përshëndetur prorektori, prof.dr. Muharrem Zabeli, i cili ka vlerësuar angazhimin dhe punën e mirë të menaxhmentit dhe stafit akademik në Fakultetin Juridik. Ai ka potencuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla për studentët, të cilët mishërohen me profesionin e tyre nëpërmjet punës praktike dhe bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë.

Ndërsa, dekani, prof.dr. Islam Qerimi, falënderoi zyrtarët e institucioneve të drejtësisë si dhe stafin akademik dhe administrativ për mbështetjen sa i përket organizimit të “Gjykimit të simuluar”. “Është një mundësi e jashtëzakonshme për studentët që të praktikojnë mësimet e tyre në një organizim si ky, duke bashkëpunuar me zyrtarë të shtetit”.

Pas fjalimeve, është realizuar “Gjykimi i simuluar”, duke filluar me prezantimin e panelit vlerësues (Rafet Hoxhaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Albana Parduzi, prokurore në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe Armand Shkoza, avokat), mandej rregullave të garës për të vazhduar me zhvillimin e gjykimit nga grupet pjesëmarrëse, vlerësimin dhe shpalljen e rezultateve nga paneli i institucioneve të drejtësisë.

J2
Shperndaj ne: