U mbajt takimi i radhës i partnerëve të projektit Erasmus+ WeB-NIMBUS
Më 7 shtator 2026, në kuadër të projektit WeB-NIMBUS, u mbajt takimi online me partnerët e projektit. Ky takim ishte pjesë e takimeve të rregullta që zhvillohen në kuadër të projektit, i cili financohet nga programi Erasmus+.
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” në këtë takim u përfaqësua nga koordinatori lokal i projektit WeB-NIMBUS për UIBM, Prof. Dr. Faton Merovci.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të projektit WeB-NIMBUS është përgatitja e programit të studimeve Master in Cloud and Edge Computing, i cili tashmë është akredituar. Duke filluar nga ky vit akademik, në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” do të nisë edhe gjenerata e parë e studentëve në këtë program.
Gjatë takimit u diskutuan aktivitetet e radhës të projektit dhe, ndër të tjera, u bë koordinimi për organizimin e trajnimit që do të mbahet në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” nga data 21 deri me 25 Shtator 2026.
Në këtë trajnim pritet të marrin pjesë përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë të projektit nga Spanja, Greqia dhe Portugalia. Trajnimi do të organizohet për stafin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), ndërsa pjesë e tij do të jenë edhe kolegët nga institucionet partnere në Kosovë, përkatësisht IBCM dhe Kolegji Universum.
Aktivitetet e tilla synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave akademike dhe profesionale, si dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit në fushën e teknologjive Cloud dhe Edge Computing.
Foto: Nga takimi online i partnerëve të projektit WeB-NIMBUS, 7 shtator 2026.
