Ballina1

U mbajt tryeza: “Bashkëpunimi Universitet–Industri për Zhvillimin e Karrierës dhe Punësimit”

Organizuar nga Bordi Këshillëdhënës dhe Qendra për Zhvillim në Karrierë u mbajt të mërkurën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), tryeza me titull: “Bashkëpunimi Universitet–Industri për Zhvillimin e Karrierës dhe Punësimit”. Përveç drejtuesve të UIBM, prorektorë, dekanë, mësimdhënës e studentë, të pranishëm ishin edhe drejtues dhe përfaqësues të organizatave e kompanive të ndryshme vendore.

Tryezën e hapi Fahredin Berisha, kryetar i  Bordit Këshillëdhënës të UIBM-së, i cili pasi falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe kontributin e tyre, foli për rolin e Bordit që drejton. Ai theksoi se në periudhën e fundit bashkëpunimi ndërmjet Universitetit dhe industrisë është thelluar, por që ka nevojë për një përkushtim më të madh nga të dyja palët.

Për nevojat e industrisë dhe aftësitë që kërkohen nga të diplomuarit, foli panelisti, Shkamb Kërleshi nga “Kosova Job”. Ai theksoi se për nevojat e industrisë kërkohen kuadro me aftësi profesionale dhe praktike, aftësi të buta dhe qasje korrekte ndaj punës.

Panelisti tjetër, Besnik Vasolli nga OEGJK, foli për mundësitë për praktika profesionale brenda dhe jashtë vendit, mentorim dhe punësim të studentëve, ndërsa  Zenel Bunjaku nga IADK u fokusua në mundësitë e tregut të punës dhe rolin e projekteve të ndryshme, duke potencuar nevojën për punë praktike të studentëve.

Tryeza vazhdoi me prorektoren për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, e cila diskutoi për tregun e punës dhe përgatitjen e studentëve, përderisa profesoresha Altina Kamberaj, ish-studente në UIBM, foli për përshtatjen e programeve studimore nga UIBM me tregun e punës.

Në fund pati diskutime nga të pranishmit, përfshirë mësimdhënës dhe studentë, që ofruan përvojat dhe perspektivën e tyre për bashkëpunimin ndërmjet Universitetit dhe industrisë.

T2
Shperndaj ne: