U mbajt tryeza përmbyllëse e projektit “EmpowerHER” Bridging Gender Equality, Mental Health, and Entrepreneurship for Female Students
Në ambientet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, u mbajt tryeza e rrumbullakët përmbyllëse e projektit “EmpowerHER”, aktivitet që shënoi përmbylljen e një iniciative të rëndësishme të dedikuar fuqizimit të grave dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale të tyre përmes trajnimeve dhe mentorimit. Projekti synon fuqizimin e studenteve femra përmes adresimit të pabarazisë gjinore, forcimit të qëndrueshmërisë mendore dhe pajisjes së tyre me aftësi ndërmarrëse.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësuese të projektit SHER, donator i projektit “EmpowerHER”, znj. Donjeta Ibra dhe znj. Fatima Kryeziu, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, staf akademik dhe staf administrativ i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, trajnerë vendorë, si dhe studente pjesëmarrëse në projekt.
Tryeza u moderua nga Koordinatorja e Projektit, Prof.ass.dr. EDBA. Filloreta Kunoviku Demiri, e cila falënderoi donatorin, pjesëmarrësit dhe ekipin e projektit, Prof.asoc.dr. Merita Shala dhe Erzen Isufi, për kontributin dhe përkushtimin e dhënë gjatë implementimit të projektit.
Me një fjalë përshëndetëse në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, të pranishmëve iu drejtua Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof.dr. Qazim Tmava, i cili theksoi rëndësinë e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe fuqizimin e grave.
Gjatë tryezës u diskutuan aktivitetet dhe arritjet e projektit, rëndësia e trajtimit të tematikave që lidhen me fuqizimin e grave, si dhe sfidat me të cilat ato vazhdojnë të përballen në rrugëtimin e tyre profesional.
Një kontribut të rëndësishëm në realizimin e projektit kanë dhënë trajnerët vendorë dhe ndërkombëtarë përmes gjashtë moduleve të trajnimit dhe procesit të mentorimit: Prof.dr. Qazim Tmava, Prof.dr. Esat Durguti, Prof.dr. Dritero Arifi, Prof.dr. Ermira Shehu, Ema Skeja PhDc, Prof.dr. Nadine Tournois dhe Prof.dr. Katarina Babnik, të cilët kontribuuan në zhvillimin profesional dhe personal të pjesëmarrëseve.
Në kuadër të tryezës, gra të suksesshme ndanë përvojat dhe sfidat e tyre profesionale, përfshirë znj. Besarta Jashari Loshi, Këshilltare e Guvernatorit të BQK-së si shembulli më I mire I gruas së suksesshme, znj. Besana Shehaj, drejtoreshë e një institucioni parashkollor, znj. Ema Skeja, psikologe klinike dhe menaxhere e Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim, znj. Ardita Fejza, Udhëheqëse e Auditimit të Brendshëm në Scardian Group, si dhe znjsh. Diellza Preteni, ish-studente e Fakultetit të Edukimit dhe sot ndërmarrëse e suksesshme e qendrës EDUAKTIV. Inpute shumë të rëndësishme gjatë tryezës dhanë edhe profesorë të UIBM që ishin pjesë e këtij aktiviteti.
Gjatë aktivitetit, studentet pjesëmarrëse ndanë përvojat e tyre nga trajnimet dhe mentorimi, duke vlerësuar ndikimin pozitiv të projektit në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Në përmbyllje u bë edhe ndarja e certifikatave për studentet pjesëmarrëse.
