U ndanë mirënjohje për stafin akademik dhe administrativ që kanë qenë bartës apo pjesë e projekteve shkencore dhe akademike
Në një ceremoni të organizuar të premten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), janë ndarë mirënjohjeje për të vlerësuar stafin akademik dhe administrativ që kanë qenë bartës apo pjesë e projekteve shkencore dhe akademike. Qëllimi i këtij organizimi ishte vlerësimi për të gjithë ata që janë dalluar me të arriturat e tyre dhe për ata që kanë qenë të përfshirë në projekte.
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, theksoi se ndarja e certifikatave, përveç si mirënjohje, gjithsesi ka për qëllim që edhe të motivoj stafin që të vazhdojë dhe për më tepër ta intensifikojë angazhimin në fushën shkencore. “Gradualisht ne duhet që fokusin e angazhimit tonë ditor ta zhvendosim kah aktiviteti shkencor, duke i bërë edhe studentët pjesë e kësaj jete”, tha ajo.
Sipas saj, një gjë e tillë, përveç të tjerash, tashmë po projektohet edhe me Ligjin për Arsimin e Lartë, ku universitetet do të vlerësohen në bazë të performancës së tyre, ku hulumtimet shkencore padyshim se përbëjnë pjesën me të rëndësishme. Rektorja potencoi se një aspekt tjetër me rëndësi gjithsesi është edhe përshtatja e rregullativës ligjore sa i përket rritjes së mbështetjes për projektet shkencore.
Ajo shprehu vendosmërinë që mbështetja për projektet shkencore të mos mungojë, për më tepër të rritet në mënyrë që të rritet edhe motivi i stafit. Në fund rektorja Deva i falënderoj të gjithë, stafin akademik dhe atë administrativ për punën, angazhimin dhe të arriturat.
Programivazhdoi me një pikë artistike më violinë nga studentja, Laurta Dobërdoli, ndërsa prof.asoc.dr. Faton Merovci nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, ndau përvojën e tij të suksesshme sa i përket projekteve shkencore. Në pjesën e dytë të programit, prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, ndau mirënjohje për projektet ERASMUS+, ndërsa prorektori për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, prof.ass.dr. Bahtir Hyseni, për projektet shkencore.


