U rizgjodh Bordi Këshillëdhënës i UIBM-it – Bashkëpunimi me industrinë vazhdon
11/06/2025
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), në vazhdën e angazhimit për bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, ka themeluar përbërjen e re të Bordit Këshillëdhënës. Në një takim të përbashkët të mbajtur të mërkurën në ambientet e rektoratit, menaxhmenti i universitetit në bashkëpunim me përfaqësues të bizneseve përzgjodhën anëtarët e rinj të këtij bordi, të cilëve do t’u besohet misioni i fuqizimit të lidhjes ndërmjet universitetit dhe industrisë.
Rektorja e UIBM-it, prof. dr. Nurten Deva, theksoi rëndësinë strategjike që ka ky bashkëpunim për zhvillimin institucional dhe ekonomik. “Bordi Këshillëdhënës është ura lidhëse ndërmjet universitetit dhe industrisë. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi synojmë të krijojmë mundësi më të mëdha për studentët tanë, veçanërisht sa i përket praktikave profesionale dhe përgatitjes së tyre për tregun e punës”, tha ajo.
Përfaqësuesit e bizneseve pjesëmarrëse vlerësuan lartë përkushtimin e vazhdueshëm të UIBM-it për të qëndruar afër nevojave të tregut dhe të industrisë. Ata theksuan se një bashkëpunim i tillë është i domosdoshëm për të ndihmuar në zhvillimin e programeve studimore dhe për përgatitjen e kuadrove të përshtatshme për ekonominë vendore.
Pas përzgjedhjes së anëtarëve të rinj, bordi mbajti mbledhjen e parë konstituive, ku u zgjodh edhe udhëheqja e re: z. Fahredin Berisha u zgjodh kryetar, z. Agran Halimi nënkryetar, ndërsa z. Fahri Beqiri sekretar i Bordit Këshillëdhënës.
Sipas statutit të këtij bordi, qëllimi kryesor është ndërtimi i një platforme të përhershme bashkëpunimi ndërmjet UIBM-it dhe sektorit privat, në mënyrë që të rritet ndikimi i të dyja palëve në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
