UIBM pjesëmarrës në “Javën Ndërkombëtare të Stafit në Universitetin e USAK-ut”, Turqi
Një delagcion nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) mori pjesë në “International Week of Staff” (IWS) të mbajtur në Universitetin e USAK-ut, Turqi, aktivitet ky me rëndësi të veçantë në kuadër të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë. Gjatë kësaj jave, Universiteti i USAK-ut mirëpriti pjesëmarrës nga universitete prestigjioze nga Evropa, Azia dhe Afrika.
UIBM u përfaqësua nga rektorja Nurten Deva, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtarë dhe Kërkime Shkencore Bahtir Hyseni, përfaqësues të Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Abdullah Sadiku dhe Elvedina Ismajli. Në ditën e parë të IWS, rektorja Deva u prit në një takim zyrtar nga rektori nikoqir i Universitetit të USAK-ut dhe rektorët e universiteteve pjesëmarrëse. Ky takim shërbeu si hap i parë për vendosjen e kontakteve të reja me institucione të arsimit të lartë me të cilat UIBM nuk ka pasur bashkëpunim më herët, si dhe për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ekzistues në fusha të rëndësishme si mobilitetet, ngritja e kapaciteteve akademike dhe kërkimi shkencor.
Ndër aktivitetet e rëndësishme të kësaj jave ishte edhe takimi zyrtar me Kryetarin e Komunës së USAK-ut, ku u diskutua për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Komunës së USAK-ut në fusha me interes të përbashkët, si arsimi, rinia, kultura dhe zhvillimi ekonomik lokal.
Gjatë punimeve të javës ndërkombëtare u trajtuan temat rreth bashkëpunimit të ardhshëm në projekte ndërkombëtare dhe u hodhën themelet për krijimin e partneriteteve të reja. UIBM shfrytëzoi këtë mundësi për të iniciuar bashkëpunime me institucione me të cilat nuk kishte pasur marrëveshje më herët, si dhe për të forcuar bashkëpunimet ekzistuese, me qëllim të zhvillimit të projekteve të përbashkëta në fushat e ngritjes së kapaciteteve, zhvillimit të stafit dhe mobiliteteve të stafit akademikë dhe studentëve.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet është në përputhje me strategjinë e UIBM për të fuqizuar dimensionin ndërkombëtar të universitetit dhe për të rritur mundësitë e bashkëpunimit me partnerë të rinj nga rajone dhe kontinente të ndryshme.
