Universiteti i Mitrovicës fiton projektin e tretë radhazi Erasmus+ me Universitetin e Ljubljanës
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, përmes Fakultetit të Gjeoshkencave dhe Departamentit të Materialeve dhe Metalurgjisë, ka fituar një projekt të ri Erasmus+ në bashkëpunim me Universitetin e Ljubljanës.
Projekti do të mbështesë një gamë të gjerë aktivitetesh akademike dhe profesionale, duke përfshirë mobilitetin e studentëve dhe stafit, trajnime të avancuara, workshope tematike, ligjërata, aktivitete laboratorike, shkëmbim të praktikave të mësimdhënies dhe mësimnxënies, si dhe iniciativa të përbashkëta akademike dhe kërkimore.
Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve ka nisur në vitin 2018 dhe, deri më tani, në kuadër të tij janë realizuar mbi 35 mobilitete të studentëve dhe stafit akademik. Këto mobilitete kanë përfshirë trajnime profesionale, ligjërata, shkëmbime akademike, punë praktike dhe aktivitete të tjera në fushën e gjeoshkencave, materialeve dhe metalurgjisë.
Projekti koordinohet nga Prof. Assoc. Dr. Mitja Petrič dhe Prof. Ass. Dr. Bastri Zeka, të cilët e kanë udhëhequr këtë bashkëpunim që nga fillimi i tij dhe përbën suksesin e tretë radhazi në kuadër të Erasmus+, duke siguruar financimin dhe vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve deri në vitin 2029 në kuadër të projekteve të Erasmus +.
Projekti i ri krijon mundësi të mëtejshme për ndërkombëtarizimin e Fakultetit të Gjeoshkencave, zhvillimin profesional të stafit, përfshirjen e studentëve në përvoja ndërkombëtare, transferimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit akademik e shkencor ndërmjet dy institucioneve.
