Vizitë e studentëve të Fakultetit Ekonomik – UIBM në ambientet e Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës
Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë kanë realizuar vizitë studimore në BQK, njërin nga institucionet kryesore të sistemit financiar në vendin tonë. Kjo vizitë ishte një mundësi e jashtëzakonshme për studentët që të informohen drejtpërdrejt me punën e jashtëzakonshme që BQK e bën për rregullimin e sistemit financiar në vend.
Gjatë vizitës, studentët u shoqëruan nga Prodekanja për Mësim dhe Zhvillim të Cilësisë në FE Prof.ass.dr.EDBA. Filloreta Kunoviku Demiri, Prodekani për Hulumtime Shkencore dhe Bashkepunim Ndërkombëtar Prof.asoc.dr. Esat Durguti dhe Prof. Besë Sadikaj.
Gjatë kësaj vizite studentët patën mundësinë që nëpërmes prezantimeve nga ana e udhëheqësve nga Divizioni i Pensioneve, Divizioni i Rrezikut Operacional dhe Vazhdimësisë së Punës, si dhe Divizioni i Rrezikut Financiar të informohen rreth funksioneve kryesore të BQK-së, si rregullator kryesor i sektorit financiar në vend, me theks të veçantë në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve dhe pensioneve, si dhe menaxhimin e rreziqeve financiare dhe operacionale.
Gjatë ligjëratës, studentët u angazhuan në bashkëbisedim e diskutime duke parashtruar pyetje mbi temat e trajtuara.
Vizita shërbeu si një mundësi e vlefshme për studentët që të thellojnë njohuritë e tyre mbi funksionimin e BQK-së dhe sistemin financiar të Kosovës, duke nxitur interesin e tyre për zhvillimin profesional në këtë fushë dhe mbi proceset e rregullimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së sektorit të sigurimeve, pensioneve dhe investimeve, duke theksuar rolin e BQK-së si rregullator kryesor i sektorit financiar në vend.
Gjatë kësaj vizite, studentët, u informuan nga Divizioni për Edukim Financiar për Platformën e re për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, e cila ka për qellim që të ndihmojë konsumatorët në informimin dhe krahasimin e normave të interesit dhe tarifave të produkteve dhe shërbimeve më të përdorura të cilat ofrohen nga institucionet financiare, duke kontribuar në rritjen e transparencës, mbrojtjen e konsumatorit, edukimin financiar dhe avancimin e qasjes në financa.
Studentët u informuan gjithashtu për konkursin e Çmimit për Ekonomistin e Ri, një iniciativë e BQK-së për promovimin e hulumtimeve shkencore në fushën e ekonomisë dhe financave. Ata u njoftuan edhe rreth mundësisë së përfshirjes në programin e praktikës për studentë në BQK, që u mundëson atyre të fitojnë përvojë profesionale dhe të zhvillojnë aftësi praktike në fushën e ekonomisë dhe financave duke ndihmuar studentët në lidhjen e njohurive akademike me përvojën praktike, duke i pajisur ata me kompetencat e nevojshme për karrierën e tyre.
Dekani i Fakultetit Ekonomik Prof.asoc.dr. Qazim Tmava, shpreh mirënjohjen e sinqertë për menaxhmentin e BQK-së për mikpritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar për të mirën e brezave të ardhshëm.




