Vizitë studimore e studentëve të Fakultetit Ekonomik në Shoqatën Down Syndrome Kosova
Në kuadër të lëndëve Ndërmarrësia dhe Ndërmarrësia Sociale, studentët e specializimit Menaxhment dhe Ndërmarrësi, së bashku me Profesorëshën Ajtene Avdullahi, nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, realizuan një vizitë studimore në Shoqatën Down Syndrome Kosova (DSK) – dega në Mitrovicë.
Studentët u pritën nga Z. Xhenis Beqiri, Menaxher i Qendrës për Shërbime, i cili prezantoi aktivitetin dhe misionin e DSK-së në regjionin e Mitrovicës. Gjatë vizitës, studentët takuan edhe stafin e shoqatës, të cilët zhvillojnë aktivitete të vazhdueshme për ngritjen e aftësive dhe kompetencave të fëmijëve dhe të rinjve me Sindromën Down, me qëllim përgatitjen e tyre për tregun e punës. Në kuadër të vizitës, studentët patën mundësinë të vizitojnë Punëtorinë e Mjaltës “Amë”, Punëtorinë e Kartolinave, si dhe kafeterinë Bistro X21, ku është i punësuar një i ri me Sindromën Down.
Diskutimi me stafin e DSK-së u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë në kafenenë Bistro X21, duke shijuar kafen më të mirë në qytet dhe duke u ofruar studentëve një përvojë të drejtpërdrejtë mbi funksionimin e ndërmarrësisë sociale dhe rëndësinë e përfshirjes së grupeve të margjinalizuara në tregun e punës.
Shoqata Down Syndrome Kosova vazhdon të angazhohet në ndërlidhjen e të rinjve me Sindromën Down me tregun e punës. Si rezultat i këtij angazhimi, në regjionin e Mitrovicës një i ri me Sindromën Down është punësuar në institucione publike, ndërsa një numër më i madh i të rinjve janë integruar në sektorin privat.



