Blend Broqi – Nga UIBM drejt karrierës profesionale
Blend Broqi përfundoi studimet në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa
Boletini” në Mitrovicë, në korrik të vitit 2020, duke treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj
shkencës së ushqimit dhe standardeve të cilësisë. Që gjatë studimeve, ai shfaqi interes të veçantë
dhe aftësi të larta në fushën e sigurisë ushqimore dhe menaxhimit të laboratorëve, duke hedhur
bazat për një rrugëtim profesional të suksesshëm.
Pas diplomimit, Blend filloi karrierën e tij në “Devolli Corporation”, fillimisht si menaxher i
Sigurisë Ushqimore dhe Cilësisë. Në këtë rol ai siguroi zbatimin e standardeve më të larta në
proceset e menaxhimit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, duke mbikëqyrur laboratorët,
koordinuar stafin dhe zhvilluar procedurat standarde të operimit (SOP).
Falë përkushtimit dhe njohurive teknike, Blendi avancoi shpejt në pozita kyçe si menaxher i
Laboratorit dhe Kontrollit të Cilësisë, ku udhëhoqi proceset e certifikimit, monitorimin e
prodhimit dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare si ISO 17025. Përveç përvojës
profesionale, Blendi ka ndjekur trajnime dhe kurse të specializuara në përpunimin e ushqimit,
sigurinë ushqimore dhe menaxhimin e cilësisë, përfshirë GFSI, ISO 9001 dhe ISO 17025.
Kombinimi i njohurive të tij me aftësitë në komunikim, organizim dhe drejtim e ka bërë atë një
profesionist të respektuar në industrinë ushqimore të Kosovës.
Aktualisht, Blend Broqi mban pozitën menaxher i Laboratorit dhe Kontrollit të Cilësisë në
kompaninë M&Sillosi. Ishte edhe ligjërues mysafir në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, në
lëndën “Shkenca e Ushqimit,” e ligjëruar nga prof.dr. Alush Musaj. Leksioni i tij me temën
“Strategjia për Sukses në Teknologjinë Ushqimore”, la mbresa të thella si te profesorët ashtu
edhe te studentët.
Rruga e tij profesionale është një dëshmi e qartë se përkushtimi, pasioni dhe disiplina sjellin
rezultate konkrete. Historia e Blend Broqit frymëzon studentët e tanishëm dhe të ardhshëm të
UIBM që të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë
ushqimore në vend.

Blend Broqi