Me rastin e 13-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ish-studentja e Fakultetit
Juridik, Bleona Meholli, është nderuar me certifikatën dhe titullin “Ambasadore Nderi”, si
vlerësim për angazhimin dhe arritjet e saj akademike dhe profesionale.
Bleona filloi studimet në Fakultetin Juridik në vitin 2020, ndërsa gjatë katër viteve të studimeve
u dallua për përkushtimin dhe angazhimin e saj aktiv në jetën studentore. Për tre vite radhazi ajo
shërbeu si përfaqësuese e studentëve, një rol që i dha mundësinë të kontribuojë në përfaqësimin
dhe mbrojtjen e interesave të studentëve, duke zhvilluar aftësi të rëndësishme në lidership,
bashkëpunim dhe përgjegjësi.
Pas diplomimit në qershor 2024, Bleona filloi menjëherë angazhimin profesional në Ministrinë e
Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, ku fitoi përvojë të vlefshme në
institucionet shtetërore. Paralelisht me zhvillimin profesional, ajo ka vazhduar edhe rrugëtimin
akademik dhe aktualisht është duke ndjekur studimet master në Universitetin e Prishtinës, në
fushën e së drejtës ndërkombëtare.
Historia e Bleona Mehollit është një shembull frymëzues për studentët e rinj, duke dëshmuar se
përkushtimi në studime, angazhimi në komunitetin universitar dhe besimi në vetvete mund të
hapin rrugë drejt arritjeve të rëndësishme profesionale dhe institucionale.
Ky vlerësim konfirmon edhe një herë lidhjen e fortë ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” në
Mitrovicë dhe alumnive të tij, të cilët me suksesin dhe kontributin e tyre përfaqësojnë
universitetin në institucione dhe fusha të ndryshme të shoqërisë.

Bleona Meholli – “Ambasador Nderi” I Universitetit “Isa Boletini” Në Mitrovicë