Me rastin e 13-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ish-studenti i Fakultetit të
Gjeoshkencave, Enes Muzaqi, është nderuar me certifikatën dhe titullin “Ambasador Nderi”, si
vlerësim për kontributin dhe lidhjen e vazhdueshme me universitetin dhe zhvillimin e sektorit
minerar në vend.
Rrugëtimi profesional i tij në industrinë minerare filloi në vitin 2011 në Ndërmarrjen Trepça
Sh.A., ku shërbeu si gjeolog kryesor në Minierën e Artanës. Gjatë viteve, ai ka mbajtur disa
pozita me përgjegjësi profesionale dhe menaxheriale brenda kësaj ndërmarrjeje, përfshirë edhe
pozitën e Drejtorit të Departamentit të Hulumtimit, Zhvillimit dhe Mjedisit, si dhe ka udhëhequr
ndërmarrjen në cilësinë e U.D. Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A.
Paralelisht me angazhimin profesional, Enesi kontribuon edhe në fushën akademike si
bashkëpunëtor i jashtëm në Fakultetin e Gjeoshkencave, në Departamentin e Gjeologjisë, duke
ndarë përvojën dhe ekspertizën e tij me studentët.
Ai gjithashtu ka qenë i përfshirë në procese të rëndësishme institucionale dhe strategjike, si
anëtar i komisionit për hartimin e Planit Strategjik të Fakultetit të Gjeoshkencave, anëtar i Trupit
Këshillëdhënës të fakultetit, si dhe anëtar i ekipit punues për hartimin e Programit të Zbatimit të
Strategjisë Minerare të Republikës së Kosovës.
Ky vlerësim dëshmon për rëndësinë e lidhjes së vazhdueshme ndërmjet universitetit dhe
alumnive të tij, duke reflektuar ndikimin që formimi akademik në UIBM ka në zhvillimin
profesional dhe kontributin në sektorët strategjikë të vendit.

Enes Muzaqi – “Ambasador Nderi” I Universitetit “Isa Boletini” Në Mitrovicë