Fjolla Lasku Hoti – një udhëtim i suksesshëm në fushën e Mjedisit
Fjolla Lasku Hoti ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, drejtimi Inxhinieri e Mbrojtjes së Mjedisit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Gjatë studimeve, ajo ka fituar njohuri të thelluara në fusha kyçe të inxhinierisë mjedisore, përfshirë trajtimin e ujërave të ndotura dhe industriale, cilësinë e ujit dhe ajrit, energjinë alternative, tokën, menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme dhe proceset e riciklimit.
Aktualisht, Fjolla është e punësuar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, ku mban pozitën e Shefes së Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane. Ajo ka qenë pjesë e projekteve që adresojnë sfida reale mjedisore në Kosovë, duke kontribuar me zgjidhje të qëndrueshme dhe inovative. Përvoja e saj akademike është pasuruar edhe me bursën Erasmus+, gjatë së cilës ka ndjekur një semestër në Universitetin Van Hall Larenstein në Holandë, ku ka kombinuar studimet teorike me praktikën profesionale në trajtimin e ujërave të ndotura, duke fituar përvojë ndërkombëtare dhe duke krijuar lidhje të vlefshme profesionale.
Së fundmi, falë formimit të gjerë akademik dhe profesional, Fjolla është pranuar për të ndjekur studimet e doktoratës në Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU) në Vjenë të Austrisë – një hap i rëndësishëm drejt avancimit të saj në fushën e kërkimit dhe inovacionit mjedisor.
Fjolla thekson se përvoja në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë ka qenë vendimtare në rrugëtimin e saj profesional dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e mundësive të reja jo vetëm në Kosovë por edhe në nivel ndërkombëtar.
