MSc. Erdina Xheloshi – një udhëtim i suksesshëm në fushën e Teknologjisë Ushqimore
MSc. Erdina Xheloshi përfundoi studimet Master në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, në vitin 2024. Storia e saj e suksesit fillon me regjistrimin e studimeve bachelor në të njëjtin fakultet në vitin 2016, ku arriti rezultate të larta dhe dy herë radhazi u shpall bursiste e universitetit. Studimet bachelor i përfundoi në vitin 2019, ndërsa në nivelin master vazhdoi të tregojë përkushtim dhe arritje të shkëlqyera, duke përfshirë publikimin e një punimi shkencor në bashkëpunim me prof. Dafina Llugaxhiu-Krasniqi.
Aktualisht, Erdina është e punësuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë – Zyra Rajonale Mitrovicë, ku mban pozicionin e Inspektores. Përvoja e saj profesionale dhe akademike ka kontribuar në zhvillimin e aftësive të specializuara në fushën e sigurisë ushqimore dhe mbikëqyrjes së standardeve të shëndetit publik.
Erdina shpreh mirënjohje ndaj Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për mundësitë e dhëna gjatë studimeve, duke e konsideruar një bazë të fortë për arritjet profesionale dhe motivim për të rinjtë që të ndjekin rrugën e saj në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore.
